• |
ide | kryesore

Ish-ministri Damian Gjiknuri mori pagesa hotelesh nga Klodian Zoto, thotë prokuroria

Arkiva, Lajme, Të fundit
Dmian-Gjiknuri-duke-dale-nga-PS



Gjergj Erebara, BIRN

Prokuroria shqiptare ka gjetur në kompjuterin e biznesmenit në arrati Klodian Zoto dy rezervime hotelesh në Vienë dhe Frankfurt për Damian Gjiknurin, ish-ministër i Energjisë dhe aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste në vitin 2014, ndërsa ky i fundit i tha BIRN se nuk ka fjetur në hotelet e paguara nga biznesmeni i incineratorëve dhe se është i hapur për t’iu përgjigjur prokurorisë, nëse thirret. I pyetur konkretisht nëse është takuar ndonjëherë me biznesmenët Zoto dhe Mirel Mërtiri, Gjiknuri refuzoi të përgjigjej duke përsëritur: “Do jam sqarime në prokurori, nëse thirrem.”

Dosja e Prokurosisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuas, SPAK, rrodhi pjesërisht në media gjatë ditëve të fundit, pavarësisht kërkesës së kreut të SPAK, Altin Dumani për të ruajtur sekretin hetimor përmes zhvillimit të debateve në Këshillin Parlamentar të Mandateve, Rregulloren dhe Imunitetet pas dyerve të mbyllura.

Në faqet 269-271 të dosjes që detajon gjetjet mbi hetimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj dhe lidhjeve të tij me biznesmenët e incineratorëve, prokurorët vërejnë se kanë gjetur dy pagesa të bëra nga Klodian Zoto për hotele në Frankfurt dhe në Vienë, me emër klienti Damian Gjiknuri. Prokurorët i paraqesin këto rezervime si prova për të treguar se të katërt mund të jenë takuar në Frankfurt.

“Ekziston dyshimi se shtetasit Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri janë takuar dhe kanë qëndruar bashkë më datë 08.02.2014 në Frankfurt me shtetasit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto,” thuhet në dokumentin e prokurorisë.

Sipas fakteve të mbledhura nga hetimi, Zoto ka paguar për Gjiknurin Hotelin Mariot me vlerë 147 mijë lekë.

“…emaili i agjencisë xxx me titull ‘hoteli i mr Gjiknuri’” shkruhet në dokumentin e prokurorisë. “…Ky email më datë 08.02.2014 ora 07.45.51 i është përcjellë nga Damiani emailit të Klodian Zotos,” shkruan më tej prokuroria.

Gjiknuri ishte nisur në këtë rast për në Shtetet e Bashkuara në një udhëtim zyrtar.

Në rastin e dytë, një hotel në Vienë është paguar në emër të Gjiknurit nga Klodian Zoto. Në këtë udhëtim, Gjiknuri ishte me mision zyrtar, negociatat me kompaninë çeke të energjisë elektrike, CEZ për riblerjen nga shteti shqiptar të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Por prokuroria thotë se një projekt tjetër nga ana e Zotos dhe Mërtirit ka qenë objekt i bisedimeve – një kontratë koncesionare për instalimin e mbi 1 milionë matësave të energjisë elektrike. Prokuroria vëren se nga informacioni i marrë nga bankat e nivelit të dytë, Zoto bëri pagesa me vlerë mijëra dollarë në një hotel në Vienë me një opsion që sugjeron se ai ka qenë fizikisht atje dhe se karta nuk është përdorur online.

Sipas prokurorisë bëhej fjalë për një interes në të cilin ishte përfshirë kompania ITS sh.p.k dhe AE Distribution e shtetasit Gerian Kuka si dhe një kompani kineze, me qëllim të shitjes së matësave të energjisë elekrike. Gjiknuri në atë kohë ishte ministër i Energjisë dhe Shqipëria po përjetonte të ashtuquajturën reformë të rimëkëmbjes së sektorit të energjisë, e cila përfshiu burgosjen e mijëra shqiptarëve nën akuzën e vjedhjes së energjisë elektrike. Nga sa dihet publikisht, nuk ka të dhëna nëse një projekt i tillë u realizua ndonjëherë.

Pyetur nga BIRN, Gjiknuri mohoi akuzat duke thënë se ai vetë ka fjetur në hotel të paguar nga ministria dhe se për udhëtimin, i gjithë dokumentacioni, përfshirë faturat, janë dorëzuar në ministri. Ai madje shtoi se dokumentacionin nuk e ka vetëm ministria, por e disponon edhe ai vetë personalisht.

“Të gjitha udhëtimet e mia jashtë vendit kanë qenë në linjat e zakonshme të fluturimit, vizita zyrtare në detyrën e ministrit. Fakte këto që mund të vërtetohen lehtësisht duke konsultuar dokumentet zyrtare të ministrisë: urdhër-shërbimet, qëllimin e udhëtimit, nisjen dhe destinacionin,” tha Gjiknuri.

“Referuar rastit konkret dhe datës të cilën ju e citoni për një udhëtim në Vjenë, ju siguroj se prokuroria, ministria të cilën unë drejtoja por edhe unë personalisht disponojmë praktikën e urdhër-shërbimit, biletat e avionit dhe rezervimin e hotelit ku kam fjetur, të gjitha të paguara me fatura nga institucioni që unë drejtoja si titullar. Për informacion, hoteli ku unë kam fjetur nuk është ai të cilit ju i referoheni por një tjetër. Të dhënat konkrete, emri i hotelit dhe pagesat janë pjesë e dokumentacionit që disponohet nga ministria përkatëse,” shtoi ai.

Gjiknuri nuk iu përgjigj pyetjes nëse është takuar me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton, duke thënë se do japë sqarime në prokurori, nëse do të thirret për të dëshmuar.

Mërtiri dhe Zoto janë aktualisht në arrati pasi kërkohen nga drejtësia shqiptare për korruptimin e një numri zyrtarësh të lartë, përfshirë ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-deputetin Alqi Bllako, ndërsa së fundmi, nën akuzë përfundoi edhe ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.



7 Comments

  1. – Nuk bën vaki që ky tip të jetë i korruptuar, aq më pak të ketë fjetur nëpër hotele të shtrenjta apo të jetë takuar me tipa të dyshimtë.

    – Nuk ndodh që zv. kryeministri të jetë i zhytur deri në fyt me afera korruptive dhe aq më tepër të arratiset në Kanada.

    – Nuk ndodh që kryeprokurori të kërkojë strehim politik në Itali dhe aq më pak ta fitojë atë.

    – As që mund të mendohet se ish-ministri i brendshëm të përfshihet në trafik droge, aq më pak të futet edhe në burg.

    – Nuk bën vaki që kryeministri të jetë përdorues i rregullt drogash dhe të nxjerri gjuhën jashtë në parlament, aq më pak të na qenka edhe i përzier me krimin.

    – Nuk ndodh ….

    – Është e pamundur t’a mendosh….

    – Nuk bën vaki që….

    ….

    🙂

  2. Oktapodhi Gjiknuri, qe i ka ngarkuar kompanite e tij koncesionare Mansakut e Filaj . Dhjetra biznese qe mjelin ekonomine shqipetare..TIK TAK!

  3. Akoma nuk jane zbuluar pagesat qe kane bere keta gjoja bisnesmen per liderin ton global me concubinat ministresha qe mban me vete! Nuk keni pare gje akoma thoshte mavija kryeminister !? Keto nuk jane gje fare ,po ato po vazhdojne te marrin miljona $ ngataksapagusit dele !

  4. Kot nuk thoshte populli që po i bo m..i mullar do kundërmojë një ditë.Dhe tani po qelb keq fare. S’ka ditë dhe rast sidomos në parlament kur Berisha ja plaste në surrat të gjitha horlliqet horrave të rilindjes duke filluar nga Rama. Dhe të gjithë ata që ka denoncuar ai ka ku i kemi tani. Çar nuk o kanë thënë Berishës. Gënjeshtar patologjik e bënë dhe nga këta njerëz ordinerë. Populli thotë e drejta vonon por nuk harron.Nuk e di di nuk largohen nga qeverisja.Si mund të vazhdosh akoma!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *