• |
ide | kryesore

Sylvinho pa ‘doreza’, nga Abrashi i shkurtër, te pankina për Brojën: “Çekia një finale, llogaritë në nëntor”

-Instant, F1, Sport, Video
Sylvinho



“Kemi përpara një ndeshje, kemi grumbulluar 25 lojtarë dhe nëse i hidhni një sy listës ka vetëm një ndryshim. Nuk është Roshi dhe kemi ftuar Brojën. Kemi ekuilibrin e duhur”. Sylvinho, trajneri i kombëtares, ka mbrojtur zgjedhjet e veta duke bërë shpjegimet e duhura në konferencën për shtyp para ndeshjes me Republikën Çeke. Kombëtarja shqiptare do të luajë një nga ndeshjet më të rëndësishme të enjten e 12 shtatorit në stadiumin ‘Air Albania’, për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’.

Trajneri brazilian u shpreh i kënaqur me formën e mirë që po kalojnë kuqezinjtë me klubet e tyre dhe për grupin që ai ka në dispozicion për këto kualifikuese, ndërsa komentoi edhe Çekinë, duke vlerësuar maksimalisht kundërshtarin. Për trajnerin tashmë vlen vetëm ndeshja ndaj Çekisë dhe kërkon që skuadra të ketë mentalitetin e duhur dhe të vendosë shpirtin dhe zemrën në fushë, duke dhënë 100% e tyre në çdo repart të fushës. “Kemi një ndeshje të rëndësishme ndaj Çekisë, një skuadër shumë e fortë. Nuk ka asnjë humbje, ka pësuar vetëm dy gola. Duhet të shkojmë në këtë sfidë me mentalitetin e duhur. Jam shumë i lumtur për lojtarët”.

DËMTIMET E PREFERENCAT

Braziliani Sylvinho ka komentuar gjendjen e Ardian Ismajli i cili u dëmtua në takimin me Empolin mbrëmjen e kaluar. “Ne e kemi monitoruar, e kemi ndjekur me shumë kujdes gjendjen e tij. Ai ka pësuar edhe një dëmtim në 24 shtator ndaj Inter. Nuk jemi shumë të qartë se çfarë ka ndodhur. Doktor Stessina ka komunikuar vazhdimisht me Empolin. Presim analizat që do të bëhen sot dhe do të bëjmë vlerësimet tona”. Natyrisht nëse Ismajli nuk ja del do të ishte e komplikuar për teknikun e kombëtares, që ka frikë edhe për Gjimshitin, që gjithshtu pati problem muskulare. “Është një lojtar i rëndësishëm, një lojtar titullar i Shqipërisë dhe nëse nuk ia del të rikuperohet, do të shikojmë si do të procedojmë. Kemi kohë, në listë kemi 25 lojtarë për një ndeshje. Janë të mjaftueshëm për të përballuar ndeshjen”.

Lexo më tej: Video/ Broja, britma e golit që priste prej një viti u mbyt nga dëmtimi i ri: shkodrani mban në ankth Sylvinhon

Amir Abrashi për të dytën ndeshje radhazi nuk është thirrur nga tekniku, që shpjegimin e ka gati. “Abrashi është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, por në këtë sfidë ne kemi nevojë për centimetra, sidomos në mesfushë. Gjasula është një zgjedhje e duhur, nëse e krahasoj me Abrashin. Ka luajtur në dy ndeshjet e fundit dhe na ka dhënë një ndihmë të madhe”.

RIKTHIMI I BROJËS

Në fund rikthimi i Armando Brojës në radhët e kuqezinjve. Shkodrani mungon që prej nëntorit të kaluar në Kombëtaren shqiptare, por me shumë mundësi Sylvinho i ka bërë gati një vend në pankinë në fillim: “Jemi shumë të lumtur dhe sigurisht që ne e kemi ndjekur, jo vetëm atë, por të gjithë lojtarët. E kam thënë, e kuptoj pjesën e entuziazmit që ka te tifozët, tek opionioni publik. Forca e këtij ekipi, ajo që na ka sjellë ne në këtë pikë që jemi në lojë për t’u kualifikuar. Nuk janë një, dy apo tre lojtarë, por është i gjithë grupi. Kemi djersitur shumë për të ardhur deri këtu. Jam shumë i kënaqur që Broja rikthehet, që e kemi këtu, por ne kemi dhe shumë lojtarë po aq të mirë. Do e vlerësojmë gjendjen e tij kur ai të vijë me ekipin”.

LLOGARITË

Pas Çekisë është miqësorja me Bullgarinë e kuqezinjtë do të kenë mundësinë të studiojnë situatën për të kuptuar cfarë mund të ndodhë në dy ndeshjet e fundit: “Llogaritë tona duhet t’i bëjmë në nëntorë dhe jo tani. E kemi thënë gjithmonë që është një grup shumë i fortë, ka shumë ekuilibër, dhe nuk jemi në gjendje të bëjmë llogaritë tani. Sepse kemi përpara një sfidë shumë të rëndësishme dhe të vështirë. Sigurisht luajmë në shtëpinë tonë, kemi mbështetjen e tifozëve tanë dhe gjithçka mund të ndodhë” e mbylli Sylvinho.

https://www.youtube.com/watch?v=HHrPx2Rvdy0



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *