• |
ide | kryesore

“Nuk duhej luajtur këtu për asnjë arsye”: Rama kritik ndaj FSHF-së, Tetovës i mungon Dwamena që tani

-Instant, Sport
Rama



“Dua të kujtoj edhe një herë me respekt Dwamena, për atë që i dha futbollit shqiptar për ato pak muaj. Kjo ndeshje sipas mendimit tim nuk duhej të luhej këtu, për asnjë arsye. Nuk kishte përse të mos fillohej nga java e ardhshme”. Olsi Rama, nuk ngurron të kritikojë zgjedhjen e FSHF-së për ta rinisur nga java e anuluar e kampionatit. Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit i shpjegoi më mirë ndjesitë e tij: “Nuk duhej të përjetohej edhe një herë drama. I duhej dhënë lojtarëve të Egnatias mundësia të shkonin në fushë tjetër e pastaj të ktheheshim këtu e mbaronim ndeshjen që kishim nisur”.

Partizani mund ta kishte fituar ndeshjen, e fiksuar në 1-1 që nga 11 nëntori, por edhe mund ta humbiste në fund, kur e mbylli me 9 lojtarë sfidën. “Fatkeqësisht kishim limite me ndërrimet se lojtarët i kishim me probleme. Albani bëri operacion ndërsa Buxhelaj erdhi me probleme nga U21, luanim me emergjencë. Kishim 3 ndërrime dhe përfunduam me 9 lojtarë. Bytyçi e ka ende të mpirë këmbën, shpresojmë të kemi gjë të lehtë. Preka ka shkuar me ambulancë në spital për të bërë grafi që të shohë gjendjen e shpatullës”, tha Rama.

Lexo më tej: Partizani me 9 lojtarë, Egnatia u ndal nga një super-Qirko: mbyllet me barazimin e fiksuar në 11 nëntor

TETOVA: KTHYEM DHIMBJEN NË FORCË

“Dhimbjen e kthyem në forcë. Është e vërtetë, këtë iu kërkova djemve. Të kthenin dhimbjen në forcë. Normalisht që ndiheet mungesa. Ekipi ishte mësuar me të, por në do të vazhdojmë përpara edhe për të. Janë edhe 24 lojtarë të tjerë që do të luftojnë shumë”. Edlir Tetova, tekniku i Egnatias, nuk fshihet pas fjalëve. Kapiteni mungon e do të mungojë edhe më shumë në të ardhmen. Rrogozhinasit ishin varur shumë nga njeriu simbol, Dwamena dhe kjo u kuptua edhe në minutat e mbetura të ndeshjes me Partizanin: “Nuk u shënua gol edhe pse kishim raste. Mund të kishim gjetur golin, por edhe Partizani kishte rastet e tij. Kjo sfidë mund të ishte edhe humbje, edhe fitore. Kjo ndeshje kishte luftë dhe spektakël dhe mendoj se barazimi ishte më i drejtë për të dyja ekipet”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *