• |
ide | kryesore

“Pësojmë gola kot”. Martini ‘i lagur’ edhe nën çadër, Gvozdenovic i katërti “pa garanci”

Sport
Martini



“Normal që jemi të mërzituar, pasi gabojmë. Bëjmë gabime individuale, pësojmë gola. Raste të panevojshme, si te goli i parë apo te penalltia. Pastaj sërish një gabim individual, një moskordinim i mbrojtësve me njëri-tjetrin dhe goli tretë shkatërroi gjithçka. Normal që të vjen keq, pasi në këto momente pikët janë ato që duhen më shumë”. Edi Martini nuk gjen paqe në këtë fazë të dytë kampionati, ku skuadra e tij është gjithnjë e më shumë në vështirësi. Teuta e mundur 3-1 nga një kundërshtar në inferioritet numerik mbyll renditjen dhe tekniku shkodran nuk sheh asgjë të përmirësohet.

Martini kritikon hapur qendërmbrojtësit e tij Jazhxi e Qaqi: “Asgjë nuk mund të bëjmë. Kisha kohë që komunikoja me dy qendrat e mbrojtjes se pashë që po luanin lehtë me kundërshtarin. Nuk ishin strikt në detyrat e tyre. Para se të pësonim golin e tretë dy stoperave u kërkova që të mos lëviznin nga vendi i tyre dhe të ishin më agresiv me kundërshtarin. Duhet të kishim nervin dhe egon, pasi këto janë ndeshje që zgjidhen me karakter të fortë. Nuk mund të dalësh nga detyrat edhe pse kundërshtari është me një lojtar më pak”.

Lexo më tej: Video/ Me 10 lojtarë, Skënderbeu i jep leksione futbolli Teutës: Frenkly, Liço e Rashica fundosin Martinin

GVOZDENOVIC: “FUTBOLLI NUK KA GARANCI”

“Jam shumë i kënaqur nga rezultati. Një ndeshje me shumë nerva dhe tension, pasi dy ekipet kishin nevojë për pikët. Rëndësi kanë pikët dhe një bravo për çunat”. Ivan Gvozdenovic është entuziast për fitoren e Skënderbeut me 10 lojtarë, 3-1 ndaj Teutës. “Ky është futbolli. Goli i parë erdhi nga një aksion i bukur dhe sulmuesi bëri një finalizim perfekt – tha serbi -. Goli i dytë me penallti, penallti është pjesë e futbollit. Goli i tretë mund të them se ishte me fat. Kur kemi nevojë për pikët dhe fusha bëhet e vështirë në dimër duhet të plotësojmë nevojat tona. Kështu që nevojën e pikëve e konkretizuam sot”.

Objektivi nuk është mendimi aktual i teknikut bardhekuq. Në fakt renditja është shumë e ngjeshur dhe me një fitore ose humbje situate ndryshon krejtësisht: “Jemi të katërt, por do të shikojmë. Në futboll nuk ka garanci. Diferencat e pikëve nga vendi 4 deri 9 nuk është i madh. Kemi ndeshje të vështira, pas 4 ditësh Kukësin dhe pastaj Erzeni”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *