• |
ide | kryesore

Katastrofa e Skënderbeut, dhuna në Krujë dhe rënia e lirë e një klubi dikur lider. Neziri: “Ishin tifozë të Partizanit”

F1, Sport



“Ndoshta mund të dalë klubi me prononcim më vonë, për momentin nuk kam çfarë them” ishte fjalët e vetme që shqiptoi tekniku i Skënderbeu Orges Shehi, pas disfatës me Kastriotin, e gjashta në shtatë ndeshjet e fundit. Seri e denjë për një skuadër që duhet të rrëzohet nga Kategoria, e ndoshta nëse sdo ishin pikët e fillimit, kjo ishte ajo që do të ndodhte.

Deklarata e teknikut durrësak paralajmëron dorëheqje, ose shkarkim, por në të dyja rastet, vështirë se do të zgjidhte punë. E megjithatë rezultati në këtë rast është krejt në plan të dytë, sepse ajo që ndodhi para ndeshjes ka qenë një turp për Kastriotin dhe futbollin kombëtar, aq më tepër nëse vëmendja kalohet tek një tjetër klub, duke e bërë të domosdoshëm hetimin.

“Rreth 25 persona të paautorizuar brenda stadiumit ‘Redi Maloku’ kanë goditur dhe dhunuar lojtarët Oto Xhon, Kristi Vangjeli dhe Idriz Toskiç. Asnjë forcë policie në stadium për të ruajtur rendin”, ishte ky postimi i klubit korcar, në kohën kur futbollisti i Kastriotit, Sokol Neziri, ka hedhur akuzat mbi tifozët e Partizanit, duke e cilësuar Fushë-Krujën ku është luajtur ndeshja, një bastion të kuq.

Mbetet për tu kuptuar, pse tifozët e Partizanit do të bënin një veprim të tillë, pasi e kanë mundur Skënderbeun në Korcë dhe ndaj një kundërshtari që nuk e kanë as rival për titull. Gjithësesi cështja është e gjitha për tu hetuar e për tu vënë fajtorët përpara drejtësisë.

Për ndeshjen, u vendos e gjitha në 45 minutat e dyta. Krutanët kaluan në avantazh në minutën e 58-të, pas golit të mesfushorit Ymeraj, përpara se Vangjeli të barazonte shifrat pas një rrëmuje brenda zonës në minutën e 80. Vendimtar në fund rezultoi braziliani Roxher, që mposhti për herë të dytë portierin Teqja.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *