• |
ide | kryesore

Nga Akademia te trajneri katalanas, pas pak do të shohim sa vlen kombëtarja e Katarit

-Instant, Sport
akademia



Vendi i pesëdhjetë në renditjen e FIFA-s, kampion i Azisë 2019 dhe mikpritës i Kupës së Botës. Gjithçka nis nga Akademia Aspire, e themeluar në vitin 2004. Ideja ishte pikërisht për të krijuar bazën e ekipit që duhej të priste kampionatin botëror. Aty mori hov edhe eksperienca në vendin e Lindjes së Mesme e trajnerit katalanas Felix Sanchez Bas. Në vitin 2017, ai mbërriti në udhëheqjen teknike të Katarit, gati për ëndrrën më të madhe të karrierës së tij.

Shumë pyesin se çfarë kombëtare është kjo e mikpritësve dhe të gjithë janë gati të vënë bast për eliminimin në raundin e parë. Kjo do të ishte një përsëritje e rekordit negativ të vendosur nga Afrika e Jugut në vitin 2010. I vetmi rast deri tani i një kombëtareje mikpritëse që nuk ka arritur në fazën me eliminim që kur ekzistojnë kampionatet botërore të futbollit. E futur në grupin A me Holandën, Ekuadorin (me të cilin do t’i japë jetë ndeshjes hapëse pas disa orësh) dhe Senegalin, kalimi i turit duket i ndërlikuar.

PRECEDENTI

Afrimi me Botërorin në shtëpi ka precedentin e ekipit kombëtar të SHBA-së në vitin 1994. Amerikanët, të drejtuar nga i madhi Bora Milutinovic, kaluan vite të tëra duke u përgatitur për kampionatin botëror. Kjo edhe falë faktit se, pas përvojës së Nasl, kur ende nuk kishte nisur MLS, lojtarët amerikanë mundën t’i përkushtoheshin përgatitjes së USA ’94 si ekip klubi. Rezultatet i dhanë të drejtë, me ekipin kombëtar të yjeve dhe vijave që doli në 1/8 i mundur 1-0 nga Brazili që më pas do të ngrinte kupën. Katari ka bërë diçka të ngjashme. Kampionati është pezulluar dhe ata janë në grumbullim të përhershëm që nga fillimi i qershorit. Një përgatitje e plotë për të mësuar parimet bazë të futbollit të kërkuar nga Sanchez Bas.

AKADEMIA ASPIRE

Hapi i parë, megjithatë, vjen nga shumë larg, që nga viti 2004 me Aspire Academy. Kjo është shkolla e futbollit në Doha e përbërë nga gjashtë mijë hektarë tokë, në të cilën janë mijëra fëmijë premtues, që vijnë nga zonat më të pafavorizuara të botës. Aty ata njihen me konceptet e futbollit të krijuara në Barcelonë. Jo rastësisht, shefi i gjithë projektit është Josep Colomer, njeriu që zbuloi Lionel Messi. Siç u përmend, edhe trajneri katalanas vjen nga Akademia dhe ka pesë vite që po përpiqet të imponojë bazat e lojës së pozicionit. Rezultatet e marra në Kupën e Azisë tre vjet më parë ishin emocionuese. Megjithatë, Botërori është diçka tjetër, pavarësisht natyralizimit të vazhdueshëm të lojtarëve. Kjo është një nga pikat kyçe të kritikave ndaj Katarit dhe Botërorit të tij.

NATYRALIZIMI I LOJTARËVE

Katari luan me një 5-3-2 të pastër në të cilin dallohen disa individualitete. Mbi të gjitha sulmuesi Akram Afif, 26 vjeç, i lindur në Doha nga një baba tanzanian dhe nënë jemenase. Ai luan në Al-Sadd, pas një eksperience në Evropë me Sporting Gijon dhe për kombëtaren ka shënuar 24 gola në 83 paraqitje. Pritshmëri edhe për Almoez Ali, i lindur në Sudan, por u transferua në Katar që fëmijë. Ai është një produkt i Akademisë dhe një sulmues veçanërisht pjellor. Abdelkarim Hassan është gjithashtu mbrojtësi i majtë që 4 vite më parë u zgjodh lojtari më i mirë në Azi. Kapiten është Al-Haydos, sulmues me 150 gola si profesionistë, ndërsa pjesa tjetër është ai grupi i lojtarëve të natyralizuar. Khoukhi ka lindur në Algjeri, Boudiaf në Francë dhe Ró-Ró në Portugali. Me shumë mundësi Katari nuk do të jetë surprizë në këtë Botëror, por as ushtria e paaftë e përshkruar nga shumë…



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *