• |
ide | kryesore

Kampionët në fuqi, kundër përrallës-Marok: Franca pëson çdo ndeshje, afrikanët golin e pësuar e kanë shënuar vetë

-Instant, F1, Sport
Franca



Afrikanët impresionues, Maroku, do të përpiqet të vazhdojë udhëtimin magjik të Kupës së Botës 2022. Këtë herë forca e tyre do të vendoset në një provë monumentale, përballë tyre kampionët në fuqi, Franca. Gjysmëfinalja në stadiumin Al Bayt ngjan elektrizuese, për shumë arsye. Luanët e Atlasit mposhtën Portugalinë 1-0 për të arritur në katër më të mirët, ndërsa Les Bleus dërguan në shtëpi një Angli të fortë. 2-1 ndaj skuadrës së Southgate mban gjallë shpresat e Gjelave për tituj të njëpasnjëshëm.

FRANCA

Një penallti e humbur e Harry Kane lejoi që Franca të ishte përfituesi “me fat” i një cerekfinale të paharrueshme. Skuadra e Didier Deschamps ishte pengesa e madhe që ndaloi Anglinë të sillte futbollin në shtëpi. Les Bleus kërkojnë tani titujt e njëpasnjëshëm, me një precedent kurioz. Franca nuk arriti të fitonte asnjë nga tre gjysmëfinalet e para të Kupës së Botës. Por që atëherë ata kanë mbizotëruar në tre rastet e tyre të fundit në 1998, 2006 dhe 2018.

Lexo më tej: Deschamps nuk i trembet Marokut: “Nuk do të ndryshojmë edhe pse mbrojnë mirë”

Kanë kaluar 84 vjet që kur një kombëtare europiane arriti të shkojë në finalen e Kupës së Botës si kampionë në fuqi. Korifenjtë italianë të viteve 1934 dhe 1938 ishin të fundit që e bënë këtë. Duke pësuar golin e Kane me penallti, Franca vazhdon të mos mbajë ende asnjë portë të paprekur në Kupën e Botës 2022, përpara gjysmëfinales së tyre me Marokun. Afrikanët, përkundrazi, me siguri i dinë një ose dy gjëra rreth mbajtjes së lojtarëve kundërshtarë në të thatë.

MAROKU

Pavarësisht se çfarë ndodh në stadiumin Al Bayt, skuadra aktuale e Marokut tashmë ka çimentuar vendin e tyre në folklorin kombëtar dhe kontinental. Ata janë kombëtarja e parë afrikane që arrin në gjysmëfinalen e Kupës së Botës. Të qenit i detyruar të përballonte pa Nayef Aguerd dhe Noussair Mazraoui një Portugali që i shënoi gjashtë Zvicrës, nuk ishte receta që urdhëroi mjeku për Ëalid Regragui. Por skuadra e tij performoi në mënyrë të shkëlqyeshme për të mbajtur larg Selecao. Goli i Youssef En-Nesyri pastaj ishte gjithçka që iu desh Luanëve të Atlasit për të bërë historinë e Afrikës. Duke marrë maksimumin ndaj tre gjigantëve ndërkombëtarë Belgjikës, Spanjës dhe Portugalisë, Maroku do të ishte vërtetë një finalist i denjë.

Luanët e Atlasit hyjnë në gjysmëfinale duke i penguar në mënyrë të jashtëzakonshme lojtarët kundërshtarë që të shënojnë ndaj tyre në të gjithë turneun e deritanishëm. Autogoli i Aguerd kundër Kanadasë përfaqëson të vetmen herë që Yassine Bounou është mposhtur në Katar. Skuadra e Regragui ka katër porta të paprekura në pesë ndeshje në turne. Tifozët e Marokut duhet ta shijojnë këtë statistikë, pasi dy skuadrat e fundit që kanë mbajtur pesë porta të paprekura në një Botëror ishin Italia në 2006 dhe Spanja në 2010. Të dyja më pas u shpallën kampione. Pasaktësia kundërshtare ka qenë një përfitim i madh për Marokun gjithashtu, pasi vetëm nëntë nga 45 goditjet me të cilat ata janë përballur në Kupën e Botës kanë qenë në shenjë. E tani sfidojnë një Francë që nuk ka pësuar kurrë humbje nga Luanët e Atlasit në pesë ndeshjet e mëparshme. Por dihet, gjithnjë ka një herë të parë.

FORMACIONET

Formacioni i mundshëm i Francës:

Lloris; Kounde, Varane, Upamecano, T. Hernandez; Tchouameni, Rabiot; Dembele, Griezmann, Mbappe; Giroud

Formacioni i mundshëm i Marokut:

Bono; Hakimi, El Yamiq, Aguerd, Mazraoui; Ounahi, Amrabat, Amallah; Ziyech, En-Nesyri, Boufal



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *