• |
ide | kryesore

Video/ Penallti me VAR, gafë e portierit e shtyllë: Erzeni përmbyt Egnatian, që përshëndet kreun

-Instant, F1, Sport, Video
erzeni



Pas një serie rezultatesh pozitive që e çuan -3 nga kreu, Egnatia është rrëzuar në Niko Dovana. Erzeni është imponuar 2-1 përballë rrogozhinasve, në një ndeshje shumë emocionuese. Kapllani merr fitoren e parë pas pesë javësh zhgënjyese. Tetova në anën tjetër provoi gjithçka për të rikuperuar, duke luftuar deri në sekondën e fundit. Rrogozhinasit patën rezerva për penalltinë e Kahrimanovic që zhbllokoi ndeshjen. Pastaj një gafë e Sherrit lejoi Nonato të dyfishojë e vetëm Dwamena nuk mjaftoi për të rikuperuar. Sulmuesi goditi edhe një shtyllë, për keqardhjen e Egnatias që mund të shohë Tiranën e Partizanin të arratisen.

Rrogozhinasit ishin më kërkues në fillimin e ndeshjes, në përpjekje për tu imponuar. E megjithatë nuk ia dolën që të shënonin. Episodi vendimtar ishte ai i minutës së 33′, kur penalltia e akorduar me VAR ndryshoi rrjedhën e lojës. Ndërhyrja e Zejnullait ndaj Ademit në zonë nuk u vlerësua si faull nga arbitri që la lojën të vazhdonte. Protestat e shijakasve u shpërblyen nga VAR, që i ndryshoi mendimin. Penallti e karton i verdhë për Zejnullahin. Nga pika e bardhë Kahrimanovic zhbllokoi rezultatin dhe goditjen e ndjenë rrogozhinasit, që pësuan të dytin pas 5 minutash. Gabimi këtë herë ishte i portierit Sherri, që nuk përmbajti goditjen e dënimit, duke i dhënë mundësinë Nonato ta mposhtë për herë të dytë.

DWAMENA DIFERENCUES…

Dwamena ishte i vetmi nga të tijtë që nuk u dorëzua dhe hapi lojën me golin e tij në fundin e pjesës së parë. Sulmuesi vazhdon të shënojë me rregullsi dhe lëshoi sinjalin edhe për të tjerët. Ekipi i Tetovës e nisi pjesën e dytë dhe e zhvilloi të gjithën në gjysëmfushën kundërshtare. Egnatia sulmoi kokë ulur në kërkim të barazimit, duke humbur raste të pastra para Xhikës. Dwamena ishte lojtari më i rrezikshëm i Egnatias. Ish-Levante u ndal nga portieri në dy raste, por edhe nga shtylla. Erzeni shpërdoroi kundërsulmet, duke dështuar të mbyllte ndeshjen.

Erzeni ia doli të mbronte avantazhin dhe mori tre pikë të rëndësishme. Një kthim te suksesi pas një periudhe delikate për skuadrën shijakase, që kthehet të mendojë zonën europiane. Egnatia frenohet dhe, nëse mbetet komode për Europën, për titullin gjërat e vështirësohen.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *