• |
ide | kryesore

“Peshoi ndeshja e parë”. Colella eviton polemikat me VAR, Sinani hedh ‘dorezën’: “Të bjerë kush të dojë”

-Instant, Sport
Colella



“Më vjen keq, por kemi bërë një ndeshje të mirë. Mora disa përgjigje të rëndësishme nga lojtarë të cilët së fundmi kishin luajtur më pak. Ndaj jam gjithsesi i kënaqur. Jam shumë i lumtur si luajtëm, bëmë një ndeshje të mirë. Peshon shumë rezultati i ndeshjes së parë por gjithçka është në rregull”. Giovanni Colella nuk dekurajohet nga eliminimi në Kupën e Shqipërisë. Partizani i tij i shkoi afër rikuperimit të 3-1 të ndeshjes së parë, por VAR i anuloi golin e 2-0.

Italiani eviton polemikat për arbitrimin dhe merret me të tijtë: “Skuadra po bën mirë – tha Colella -. Futbolli nuk përbehet nga ekipe që fitojnë të gjithë ndeshjet. Unë jam i qetë, skuadra bën paraqitje të mira. Jam i qetë dhe nëse skuadra bën paraqitje të mira e nuk kam çfarë them. Ne jemi këtu për të bërë pikët. Pikët mund të bëhen në shumë mënyra. Ndeshja e sotme tregon se nëse punohet mirë, me intensitet dhe ide të qarta, mund të bëhen shumë gjëra në futboll”, përfundoi Colella.

Lexo më tej: Video/ VAR eliminon Partizanin, anulon golin e Carës: të kuqtë fitojnë, por kualifikohet Vllaznia

SINANI: NUK KEMI FRIKË ASNJË NGA KUNDËRSHTARËT

Mirel Josa ka lënë para gazetarëve zëvendësin e tij Vioresin Sinani. Ish-sulmuesi ka justifikuar vuajtjen e Vllaznisë, në humbjen 1-0 ndaj Partizanit: “E dinim që ishte një ndeshje e vështirë. Luanim përballë Partizanit, që është një nga skuadrat më të mira në vend. Qarri sot ka bërë pritje të shumta, ka meritë te kualifikimi, por është djersa e të gjithë skuadrës. Mund të luanim më mirë, por jemi të kënaqur me kualifikimit, duke ditur edhe vlerat e kundërshtarit”.

Sinani nuk ka hezituar të tregojë ambicjet e Vllaznisë, jo vetëm në katër më të mirat e Kupës, por edhe në kampionat: “Jam i bindur që do të shkojmë deri në fund të Kupës dhe kampionatit. Kemi një grup shumë të mirë lojtarësh. E besoj që Vllaznia do të jetë pretendente deri në fund si në kampionat, edhe në Kupë. Në ndeshjet e Kupës vlen vetëm kualifikimi, prandaj jam i kënaqur me rezultatin e sotëm. Nuk kemi frikë asnjë nga kundërshtarët e mundshëm në gjysmëfinale”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *