• |
ide | kryesore

Italianët të pasukesshëm, por vazhdohet t’i besohet: Diego Longo trajneri i ri i Teutës

-Instant, F1, Sport
Diego Longo



Giovanni Colella fitoi titullin e sërish nuk bindi, por u largua nga Partizani. Të tjerët janë një histori e ditur dështimi, nga Tiziano Gori te Agostinelli e deri te Juliano. Emra me CV, por pa përshtatje ndoshta me futbollin shqiptar. E megjithatë, shkolla e përtej Adriatikut vazhdon të jetë joshëse për klubet shqiptar. I fundit, Diego Longo, që pas një dështimi për të ngjitur Flamurtarin në elitë, merr pankinën e Teutës.

Klubi durrsak e ka lajmëruar emërimin e italianit në faqen e tyre zyrtare. Diego Longo do të ketë një kontratë 1+1, që do të aktivizohet në rast të përmbushjes së objektivëve. Teuta kërkon të lërë pas një sezon plot luhatje, që megjithatë në fund mund t’i kishte parë në Europë. Dështimi për të fituar ndeshjen e fundit me Partizanin, që u shpall kampion, peshoi në fatin e Martinit.

Diego Longo do të vijë në pankinën bregdetare për të zëvendësuar teknikun shkodran, edhe pse me vlonjatët nuk arriti objektivin. Në pankinën e Flamurtarit italiani bëri gjithsej tetë ndeshje: 3 fitore, dy barazime e një humbje. Pastaj edhe një barazim e një humbje në playoff me Korabin. Por shifrat nuk kanë ndikuar në zgjedhjen e Teutës. Ish-tekniku i Kukësit në sezonin 2021-22 në 40 ndeshje pati një mesatare pikësh prej 1.55 për ndeshje. Dy pankinat në Shqipëri janë të parat për të si trajner i parë. Diego Longo ka punuar më parë si asistent me Mircea dhe Razvan Lucescu.

Benvenuto Mister DIEGO LONGO!

KF Teuta zyrtarizon arritjen e marrëveshjes me trajnerin Diego Longo. Trajneri i ri i skuadrës sonë aventurën e tij të fundit e kishte në Vlorë, ku drejtonte klubin e Flamurtarit. KF Teuta i dëshiron mirëseardhje trajnerit të ri në skuadër, duke i uruar suksese dhe arritjen e qëllimeve të vendosura së bashku me skuadrën tonë. #forcateuta



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *