• |
ide | kryesore

“Si një grua që martohesh pas dy javë njohje”: Zekic krijon një alibi me stil, ndaj BATE Borisov

-Instant, F1, Sport
Zekic



“Linja e mbrojtjes është vija e parë e linjës së sulmit. Ne duhet të jemi kompakt”. Një filozofi krejtësisht e veçantë e teknikut të Partizanit, Zoran Zekic e shfaqur në konferencën për shtyp para ndeshjes së parë në Champions ndaj BATE Borisov. Ndoshta si për të bërë ndryshimin me shkollën italiane, që sulmin e quajnë vija e parë e mbrojtjes. Kroati nuk ka pasur kohën e mjaftueshme për të përçuar idetë e tij të Partizani. Por kjo nuk e pengon të kërkojë një rezultat pozitiv përballë bjellorusëve: “Nesër nuk duhet te kemi alibi, të luajmë sikur jemi bashkë prej vitesh. Sepse mendoj se dikush gjërat mund t’i kuptojë për 25 ditë, ndonjë tjetër ndoshta nuk do i kuptojë as për dy vite”.

Nga “e kemi vendosur formacionin, kemi stërvitjen e fundit dhe të shpresojmë që të mos ndodhë asgjë”, te “unë mundohem të fitoj gjithmonë”, Zekic tregon ambicjet në këtë raund të parë të Champions. Sigurisht që vështirësitë janë, pavarësisht efektit surprizë për një kundërshtar që është në padije për të kuqtë: “Shpresoj të bëjmë ndonjë surprizë. Nuk dua të krijoj alibi, por nesër, pas 25 ditësh, përsëri nuk do të di formën e plotë të ekipit tim. Kjo është sikur të jesh me një grua që e njeh për dy javë dhe pastaj të martohesh me të”.

REZULTATI, PRIORITAR

Sidoqoftë, një lloj alibie është, me teknikun Zekic që e thekson mungesën e kohës për ta patur një skuadër në kontroll të plotë: “Për këtë mund të përgjigjem pas një apo dy muajsh. Në këtë moment është një ndeshje shumë e rëndësishme. Për mua është e rëndësishme që të gjithë të jemi kompakt brenda 35 metrave. Sinqerisht, nuk më intereson nëse do të luajmë mirë apo jo, luajmë vetëm për rezultat”.

Sa për organikën, kroati duket i kënaqur: “Me atë që kam parë në 25 ditë, jemi një skuadër krejtësisht ndryshe dhe me ide tërësisht ndryshe. Kemi një profil lojtarësh totalisht të ndryshëm në fushë – sqaroi Zekic, duke shtuar më pas çështjen e eksperiencës -. BATE ka më shumë eksperiencë në Europë se sa Partizani. Por nesër duhet të mendojmë për këto 90 minuta dhe që të bëjmë situata më të mira para portës. Për shembull, kur isha te Osijek, luajtëm për herë të parë pas 25 vitesh në Europë. E luajtëm shumë, shumë mirë. Kjo është e gjitha se si përgatitemi mendërisht”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *