• |
ide | kryesore

Video/ Kritikoi Neymar: Jorge Jesus rrezikon shkarkimin nga Al Hilal

-Instant, Sport, Video
Jorge Jesus



Arabia Saudite po mbledh kampionët e mëdhenj të futbollit, me zhurmë milionash, por ata që janë në rrezik nga ky bum i madh lojtarësh janë trajnerët. Të komandosh ata që vijnë të paguhen me çmendurira e prezantohen nga vetë shteti si ambasadorë të Arabisë Saduite bëhet e pamundur. E kishte kuptuar Rudi Garcia dhe po e kupton Jorge Jesus. Neymar zhgënjeu në ndeshjen e Kupës në të cilën Al-Hilal nuk shkoi përtej barazimit 1-1. Trajneri Jorge Jesus pati një konfrontim të ashpër me brazilianin pas ndeshjes, por tani rrezikon të shkarkohet për shkak të O’Ney.

Paraqitja e Neymar në ndeshjen e Champions League aziatike la për të dëshiruar. Al Hilal luante kundër Navbahor Namangan dhe duhej të ishte një shëtitje për sauditët. E megjithatë, ndeshja përfundoi 1-1 dhe braziliani ishte ndër më të dobëtit në fushë.

Mes pasimeve të gabuara, driblimeve të dështuara dhe golave të humbur, nuk dukej sikur ishte në fushë golashënuesi rekord i kombëtares braziliane. Neymar dukej një lojtar jashtë formë dhe i pa motivuar më. Ish-sulmuesi i PSG-së rrezikoi edhe një karton të kuq duke e goditur topin ndaj një kundërshtari në tokë.

TEKNIKU I NERVOZUAR, TEKNIKU I RREZIKUAR

Trajneri i Al Hilal, Jorge Jesus nuk ishte i kënaqur me paraqitjen e lojtarit të tij. Të dy ata patën një konfrontim të ndezur në dhomën e zhveshjes. Por kjo përplasje nuk i ka sjellë asnjë dobi trajnerit. Tani Neymar është duke kërkuar me forcë shkarkimin e tij dhe me shumë gjasa do ta detyrojë Al Hilal ta bëjë.

Një situatë e parë tashmë edhe me Cristiano Ronaldo te Al Nassr. Rudi Garcia humbi vendin në pankinë pikërisht për shkak të portugezit. Është e qartë se për sauditët është më e rëndësishme të kenë një Neymar ose CR7 të lumtur sesa një trajner të besueshëm. Trajneri nuk krijon imazh, lojtarët po.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *