• |
ide | kryesore

Reagon prokuroria/ Tahiri në “arrest shtëpie”, akuzohet për 2 vepra penale

Lajme, Të fundit



I janë dashur 8 orë gjykatëses së Krimeve të Rënda, Liliana Baku të marrë vendimin për ndryshimin masës së sigurisë së Saimir Tahirit. Që në orët e para të mëngjesit të së shtunës, një ditë pushimi zyrtar, prokuroria e krimeve të rënda kishte dorëzuar në gjykatë kërkesën për ta arrestuar dhe për ta lënë në “arrest me burg”, ish-ministrin e Brendshëm.

Kanë qenë 3 prokurorët Besim Hajdarmataj, Elisabeta Imeraj dhe Gentjan Osmani që kanë paraqitur kërkesën. Gjykatësja Liliana Baku e ka marrë vendimin rreth orës 17.00 të së shtunës. Pas kësaj një nga prokurorët, së bashku me avokatin e Tahirit ia kanë komunikuar masën e re Tahirit në shtëpinë e tij. Për mediat prokuroria bëri të ditur edhe një njoftim të shkurtër.

“Gjykata vendosi caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, ndaj shtetasit nën hetim Saimir Bashkim Tahiri, i datëlindjes 30.10.1979, si person i dyshuar për kryerje të veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, e parashikuar në nenet 283/a dhe 333/a, në lidhje me nenin 28 të Kodit Penal dhe, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, e parashikuar në nenin 260 të Kodit Penal. Urdhërohet shtetasi nën hetim Saimir Bashkim Tahiri të mos largohet nga banesa e tij, ndodhur në Tiranë, Rruga “Kodra e Diellit”, Pallati Nr.3”.

Ndryshimi i masës ndaj Tahirit vjen menjëherë një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vulosi dorëzimin e mandatit të deputetit nga Tahiri për t’ia kaluar atë Spartak Brahos. Tashmë Tahirit do t’i bllokohet sërish pasaporta. Atij nuk i lejohet më të largohet nga banesa, nuk i lejohet të kontaktojë njerëz të tjerë përveç familjarëve të tij dhe avokatëve. Saimir Tahiri akuzohet si bashkëpunëtor me grupin kriminal të Moisi Habilajt që u arrestua në Itali për trafik të lëndëve narkotike në sasi të mëdha. Në bisedat telefonike të grupit të “Habilajve” përmendej disa herë emri i Tahirit. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *