• |
ide | kryesore

Dyndje të huajsh të panjohur në Superiore, 17 të federuar deri tani

Sport



Sezon i ri, zakon i vjetër, kampionati shqiptar gjeneron më shumë të huaj të panjohur se sa lojtarë që vijnë me një cv të rëndësishme, ose të paktën superiore ndaj futbollistëve vendas. 22 lojtarë të huaj qarkullojnë në transferimet e klubeve të Superiores për sezonin 2018-19 e nga këta 17 janë emra të rinj që shfaqen në listën e federimeve. Nuk është një numër i jashtëzakonshëm, por përsëri është i konsiderueshëm po të marrësh në konsideratë raportin çmim-cilësi.

Trendi për të patur lojtarë të huaj në klubet e Superiores shpesh lidhet me menaxherët e në rastin më ekonomik me cmimin që përfaqësojnë. Një pjesë e mirë e tyre nuk bëjnë asnjë diferencë me futbollistët vendas, pa llogaritur ata që plotësojnë pankinën.

Pjesën kryesore të transfertave më të huajt e ka Kukësi me 5 futbollistë. Ndryshimet e bëra në organikë nga Blutë, gati gjysma e skuadrës sigurisht do të reflektohej edhe në këtë detaj, por verilindorët të paktën kanë investuar në emra me CV të rëndësishëm si braziliani Cordero e Reginaldo, (që në fakt është pjesë e Superiores prej dy sezonesh) ndërsa për tu zbuluar janë Harba e Spehar, të cilët kanë ardhur me idenë e lojtarëve të rëndësishëm, por jashtë kondicionit gjë që është shfaqur edhe në tre ndeshjet e para të Champions kundër Valetës e Qarabag.

Me nga tre të huaj të rinj prezantohen Tirana, Kastrioti e Luftëtari, të tre në aksin Afrikë-Europë Lindore. Bardheblutë e Ze Marias vazhdojnë ta drejtojnë merkaton në Afrikë, aty ku tekniku ka punuar dhe njeh ambjentin, por edhe pse dy vitet e fundit kryeqytetasit kanë dalë të fituar nga transferta e lojtarëve si Merveille.

Gjirokastritët që kur administrohen në merkato nga një kompani e huaj, edhe trajnerin edhe lojtarët i sugjerohen të tillë, ndaj dhe 3 të ardhur deri tani është normale, kur pjesën tjetër të vendeve në dispozicion për futbollistët e huaj e kanë të plotësuar.

Rinovimi i Skënderbeut, pas zhvillimeve të fundit dhe problemeve me UEFA-n ka sjellë dy të huaj të rinj, me të cilët korcarët shpresojnë të vazhdojnë politikën e suksesshme të shitjeve, që ka gjeneruar të ardhura rekord për arkën e klubit, ndonëse tani, jashtë Europës, do të jetë shumë më e vështirë.

Më e kujdesshme, ose më skeptike, pjesa tjetër e Superiores, ndoshta duke patur në konsideratë pikërisht faktin se asnjë lëvizje e lojtarëve të huaj nuk i ka sjellë rezultatet që shpresonte, ose si në rastin e Partizanit që është në pritje të goditjes së duhur për të bërë diferencën si me Ekuban dy vjet më parë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *