• |
ide | kryesore

Janari tallës i Superiores: klubet trokë, merkato e zhurmshme

F1, Sport



Edhe pak ditë, më saktë tre. Pastaj hapet merkato dhe ka një muaj ethe: vetëm se nuk kuptohet mirë, nëse janë për të gjetur lojtarët që bëjnë punë, apo për tu ruajtur të mos shthuren ekipet. Arsyet janë që të ndodhë më shumë kjo e dyta, sepse 6 në 10 klube kanë problem evidente financiare, ndërsa katër arrijnë të paktën të administriohen.

“Po shohim alternativa nga jashtë. Kërkojmë lojtarë të bëjnë diferencën. Në janar do të shihni skuadrën e vërtetë”: janë frazat e përdorura shpesh nga drejtuesit e klubeve të Superiores, që janë gati të fusin në lojë edhe emra klubesh prestigjoze, për të bindur tifozët, lojtarët, kundërshtarët, apo edhe veten se gjithcka është në rregull. Vetëm se kanë harruar të hedhin sytë nga arkat, ose të shohin fytyrat e futbollistëve që janë të papaguar, në rastin më të mirë prej dy-tre muajsh, në rastin më të keq, që kur ka filluar sezoni.

Flamurtari e Luftëtari e Kastrioti e kanë të shpërthyer problemin, Tirana nuk e fsheh dot, ashtu si edhe Kamza, ndërsa Presidenti i Skënderbeut Takaj e pranon vetë se ka ca probleme. Natyrisht nuk duhej kjo deklaratë për tu kuptuar, mjaftonte të shihej serie prej 5 ndeshjesh pa fitore. Ajo që cudit janë lajmet e merkatos, ku në Korcë pritet të bëhet nami. Flamurtari mund të jetë marketi më i madh i Superiores bashkë me Luftëtarin: pa rroga nuk mbahet mend që kur, lojtarët prasin datën 4 janar në Vlorë për tu zgjidhur nga detyrimet, ndërsa në Gjirokastër nuk kanë as fjalën premtuese për të zgjidhur problemin.

Gjysma e Superiores dëshiron Vasil Shkurtaj, vetëm se nuk kanë para ta blejnë. Kjo i ka ndodhur edhe Kukësit që pasi fiksoi Rrocën nuk i kishte financat e mjaftueshme për të hipotekuar sulmuesin. Jo më kot në lojë ndërhyn me drojë Teuta, sepse edhe ajo duket se nuk i ka, ndoshta ndoshta goditjen mund ta bëjë Partizani, sepse është i vetmi pozicion ku mund të bëjë sakrificë.

Merkato mund të ketë, por ajo do të jetë gratis, me ato cfarë ndodhen ose dalin në treg, të gjithë pretendojnë që dikush të durojë pak më shumë se të tjerët, sa për të kaluar atë janarin e tmerrshëm. Likuiditetet janë luks që në këtë moment nuk e kemi, dëshirën po, ajo nuk kushton…e për vitin e ri luajmë këtë parodi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *