• |
ide | kryesore

Video/ Derbi bëhet i kuq, vendosi Mala: Partizani mbyt Dinamon në një krizë pa mbarim

-Instant, Sport, Video



Tre pikë për moralin e renditjen ato që Partizani merr në derbin e kryeqytetit, duke mundur 1-0 Dinamon. Vendosi një gol i Malës në pjesën e dytë, aq sa mjafton që Daja të kthehet të vështrojë nga zona europiane e renditjes, në kohën kur është errësirë e thellë në humnerën ku Shkëmbi ka përplasur nëndetësen blu.

Në një ndeshje të luajtur hapur nga të dyja skuadrat, qartësisht në kërkim të një fitore që do ti ndihmonte të kalonin momentin, Partizani e Dinamo dhanë një shfaqje argëtuese, me shumë raste por pak gola. Në pjesën e parë Junior e Ibraimi ishin lojtarët më të rrezikshëm për Teqjen e Bakajn, duke i detyruar të dy portierët të bënin ndërhyrje vendimtare për të ruajtur portat respektive. Edhe Rrapaj siluroi nga distanca pa rezultat, pas gjysëm ore lojë, ndërsa në të 28 ishte Junior që provoi me kokë, pa mundur të mposhtë portierin blu. Nuk është më pak, Teqja që në fundin e pjesës së parë evitoi golin e Mihanës.

Edhe e dyta kishte ritëm, me skuadrat që u zgjatën, duke lënë hapësira, për fatin e portierëve të pashfrytëzuara nga sulmuesit kundërshtarë. Herald Marku dha sinjalin e parë për të kuqtë, por Ibraimin nga goli e ndan vetëm këmba e Belicës në vijën fatale. E goli i Malës, në një kundërsulm perfekt të Partizanit erdhi në minutën e 72. Pas atij goli, të kuqtë arritën të administronin mirë rezultatin dhe siguruan tre pikë të cilat i mundësojnë që t’i afrohet përsëri grupit të skuadrave që luftojnë për podiumin e kampionatit. Ndërsa Dinamo pëson humbjen e tretë radhazi dhe tashmë duhet të ketë kujdes që të mos përfshihet përsëri në vorbullën e luftës për mbijetesë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *