• |
ide | kryesore

Niculae, ish-shoku te Sporting, tregon: “CR7 nuk ishte i shoqërueshëm, nuk hante kurrë me ne”

-Instant, Sport
Niculae



Cristiano Ronaldo i rrëfyer nga ata që e njohën kur ishte ende djalosh. Ish-shoku i skuadrës në fjalë është rumuni Marius Niculae, që ishte te Sporting Lisbona në vitin 2001. Koha kur u evidentua një Cristiano Ronaldo shumë i ri që përpiqej të gjente një vend në ekip. Duke folur për Digi Sport Special, ish-sulmuesi, i cili gjithashtu grumbulloi 43 paraqitje dhe 15 gola për kombëtaren e tij, dha një portret të CR7. Një rrëfim që tregon se portugezi kishte prioritete të përcaktuara mirë që atëherë. Por edhe shpjegon se si etika e tij e punës e ka bërë atë të mos bëjë shumë miq…

CRISTIANO VETMITAR

“Cristiano nuk ishte një person i shoqërueshëm. Ne gjithmonë përpiqeshim që ta bënim të vinte dhe të hante në tryezë me ne. Por ai ishte gjithmonë në botën e tij”. Në fund të fundit, disiplina personale e Cristiano Ronaldos është mjaft e njohur për të gjithë. E shpesh kjo nevojë për të punuar edhe kur të tjerët nuk e bënin e çonte atë në një lloj izolimi. Siç shpjegon Niculae, ishte e vështirë ta shihje atë të anashkalonte stërvitjet e tij personale. “Ai shkonte vetëm në palestër. Ndonjëherë kur mbaronim stërvitjen shkonim të gjithë për të ngrënë, por ai nuk vinte kurrë”. E duke marrë parasysh se vaktet së bashku janë pjesë e ndërtimit të grupit, kuptohet se pesë herë Topi i Artë i ardhshëm nuk ishte saktësisht i përfshirë…

PROBLEMET NË KOMBËTARE

Për ish-shokun e tij, CR7 gaboi që dha atë intervistë për Piers Morgan. E gjithë kaosi që pasoi mund t’i ketë krijuar probleme edhe në kombëtare. “Mendoj se grupi nuk e pranoi aq mirë. Pepe është i vetmi me të cilin ai ndihet rehat. Kam parë disa foto dhe Bruno Fernandes e ka shmangur disi”. Diçka që të gjithë nxituan ta mohonin, por që gjithsesi shkaktoi disa probleme dhe Botërori për portugezët shkoi siç shkoi. Po tani, çfarë do të bëhet me Cristiano Ronaldon? Përgjigja e Niculae është e qartë. “Unë mendoj se ai do të zgjedhë Al Nassr ose Shtetet e Bashkuara. E më pas, nga ajo që kam lexuar, mendoj se ai dëshiron t’i përkushtohet kinemasë dhe Hollywood”. Vendi i duhur… për një yll si ai!



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *