• |
ide | kryesore

Ish-menaxheri Di Campli zbulon prapaskenat: “Verratti nuk pati b*le, kishte akord me Juven”

-Instant, Sport
Di Campli



Pas më shumë se 10 vitesh me fanellën e PSG-së, Marco Verratti është shumë afër kalimit në Arabinë Saudite te Al-Hilal. Klubi në këtë merkato ka blerë Koulibaly, Ruben Neves dhe Milinkovic-Savic, por nuk do të ndalet. Ish-menaxheri i tij, avokati Donato Di Campli, foli për të ardhmen e mesfushorit Italian. Por ai nuk ishte shumë i butë në një intervistë për TV Play, ku kritikoi zgjedhjen e lojtarit: “Markos i mungonin bo*et për të rezistuar tetë muaj, sepse ishte në skadencë me PSG-në e mund të shkonte te Barcelona dhe të bënte një karrierë tjetër. Ai kishte frikë të përballej me ata njerëz në Paris dhe u përul. Që në momentin që zgjodhi atë rrugë, Verratti e mbaroi karrierën e tij. Ai do të jetë një njeri shumë i pasur, por nuk do ta jetë kurrë një kampion”, tha Di Campli.

DO TË SHKOJË NË ARABI

“A do të shkojë në Arabi? Po, nga informacionet e mia do të shkojë, situata është te detajet. Tani do të fitojë shumë para, por do të shkojë në mes të shkretëtirës me devetë”, shtoi Di Campli. Menaxheri foli edhe për rinovimin e kontratës së nënshkruar në 2017 nga ish-klienti i tij me francezët: “Ai u mbyll në një dhomë nga ish-drejtori i Paris Saint Germain Antero Henrique dhe Al-Khelaifi dhe iu tha ‘Lëre menaxherin tënd dhe ne do të rinovojmë gjithçka që dëshiron’. Një djalosh që asokohe ishte 22-23 vjec e gjeti veten në vështirësi. E tani jemi në të njëjtën situatë me Mbappe. Mos harrojmë situatën Rabiot, me nënën e tij që nuk i interesonte që djali mbeti në stol. Unë e admiroj shumë Kylian Mbappe, pavarësisht qeverisë, Macron… mendoj se ai po ndjek ëndrrën e tij. Atë për t’u bërë kampion. Në atë dimension të gjithë marrin paratë, por duhet të dini se si të zgjedhësh rrugën që dëshiron të marrësh”.

PRAPASKENA ME JUVENTUS

Pastaj prapaskena për verën në të cilën Verratti u largua nga Pescara: “Ai ka qenë gjithmonë një juventin gjithë jetën dhe ne kishim një marrëveshje me Juventus përpara se të shkonim te PSG. Megjithatë, Pescara donte të fitonte sa më shumë para nga ky transferim dhe ishte e nevojshme që të pajtoheshin nevojat. Për më tepër, Pescara nuk mund ta përballonte kontratën e Troisi. Përndryshe ai do të kishte shkuar atje edhe sepse marrëveshjet me Juventus tashmë ishin nënshkruar”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *