“Ne nuk e humbëm ndeshjen. Mendova që ishte pozicion jashtë loje, por takova gjyqtarin e VAR-it dhe më tha “më fal”. Të më thotë më fal gjyqtari kur ka 5 telekamera para televizorit, kjo është çmenduri. Kjo e fundit është e pafalshme”. Edi Martini nuk gjen paqe pas 2-2 të anuluar Filit në minutat shtesë, në sfidën e humbur me Dinamon. Tekniku shkodran nuk merret me aspektet e lojës, i indinjuar për pikën e hequr nga VAR: “Dinamo erdhi dy herë me raste spontane e shënoi dy gola. Ne ushtruam presion më tepër në pjesën e dytë, patëm raste, por na mungon lojtari i golit. Por ky gol i anuluar, të kërkojë gjyqtari falje në këtë krizë pikësh, është e pafalshme. Shiheni si të doni, është jashtë çdo logjike”.
Tekniku i Teutës insistoi më shumë me arbitrin e VAR se me asistentin e fushës: “Unë e kuptoj një faj njerëzor, por kur është në TV dhe mund ta shohësh 2, 5, 7 minuta… Nuk e kam me anësorin, ai mund të gabojë, por VAR-i është e pafalshme. Nuk më shqetëson që gabon anësori apo kryesori, por VAR-i është e pafalshme – tha Martini, që në fund premtoi -. Jam i bindur që do të ketë një 2024 shumë herë më të mirë se sa është tani dhe do më kujtoni me fjalët e fillimit të kampionatit që pretendojmë për vendin e katërt” e mbylli Martini.
MEHMETI: “ISHTE SHUMË E RËNDËSISHME”
“Ishte shumë e rëndësishme se dy skuadrat vinin nga rezultate jo pozitive. Tensioni i ndeshjes ndjehej te lojtarët që bënin gabime të thjeshta. Më vjen keq për mënyrën se si pësojmë golat dhe nuk jemi në ekuilibër pasi jemi në avantazh”. Dritan Mehmeti i gëzohet pikëve por jo lojës. Dinamo u kthye te fitorja, duke mundur 1-2 Teutën, por goli në fund mund të kishte shkatërruar gjithçka: “Megjithatë, e rëndësishme është të marrim pikët. Do të analizojmë dhe marrim masat çfarë mund të korrigjojmë për pjesën e janarit se nis shumë shpejt kampionati përsëri”.
Lexo më tej: Video/ Anulohet në shtesë goli i Filit, plasin polemikat: buzëqesh Dinamo, dygolëshi i Vilës “mbyt” ish-skuadrën
Tekniku i Dinamos sidoqoftë është i përqendruar tani te merkato, që mund ta lejojë të jetë më i qetë për të kërkuara një vend në Final Four: “Duhet të jemi më të kujdesshëm për të mbyllur ndeshjen, se mund të shkonim në disa momente në 3-1. Skuadra është në formatim dhe shpresojmë që të marrim edhe 2-3 elementë që do t’i bëjnë shumë mirë për të rritur konkurrencën dhe përballuar këtë kampionat shumë të vështirë”.