• |
ide | kryesore

Video/ Vinicius e Bellingham shkatërrimtarë: Real asfalton 4-0 Girona dhe arratiset +5

Sport, Video
Bellingham



Java e 24 e La Liga ka qenë ajo me pritshmëritë më të mëdha, duke qenë se në program ishte edhe ndeshja mes Real Madrid dhe Girona. Në sfidën mes kryesuesve, katalanasit u fundosën plotësisht në Bernabeu, pavarësisht se Blancos luanin me Tchouameni-Carvajal si qendërmbrojtës. Kjo nuk e pengoi Real Madrid të imponohej 4-0: Vinicius Junior, Bellingham (dygolësh) dhe Rodrygo fiksuan rezultatin për të dërguar ekipin e Ancelottit +5 ndaj ndjekësit më të afërt. Osasuna likuidoi Real Sociedad (1-0), ndërsa Villarreal dhe Alaves barazuan 1-1.

REAL MADRID-GIRONA 4-0

Pas një fillimi premtues, Girona fundoset në Bernabeu. Real Madrid përfiton nga loja e dobët e mbrojtjes së rivalëve të tyre dhe i mposht ata me një 4-0 madhështor, të udhëhequr nga një dygolësh i Bellingham. Katalanasit e nisën mirë, por u ndëshkuan në minutën e 7. Vinicius Junior doli në krah, asgjësoi Yan Couto dhe goditi në shtyllën e largët, duke mos i lënë asnjë shans Gazzaniga. Reagimi i Girona ishte i mirë, por mbrojtja e improvizuar e teknikut Ancelotti, i detyruar të vinte Carvajal dhe Tchouameni si qendërmbrojtës për shkak të dëmtimeve, i rezistoi goditjes dhe nuk u la hapësirë rivalëve të tyre. Kështu, në minutën e 35′, Real mbylli ndeshjen. Vinicius i shërbeu Bellingham, i cili kaloi Eric Garcia, dribloi portierin dhe shënoi golin e dytë.

Lexo më tej: Video/ Shpërfytyrohet Barcelona: Villareal i shënon 5 në një ndeshje të çmendur

Anglezi shënoi edhe në pjesën e dytë, duke fiksuar rezultatin 3-0 në minutën e 55′. Bellingham më pas u largua për shkak të një problemi muskulor dhe ky është shqetësimi i vetëm për Carlo Ancelottin. Real, sidoqoftë, nuk u ndal dhe Rodrygo shënoi pokerin në minutën e 61′. Edhe këtë herë asisti është i Vini Jr. Yan Couto u bë sërish protagonisti negativ në kohën shtesë, kur rrëzoi Arda Güler duke shkaktuar penalltinë e manita-s së mundshme. Joselu e përplasi topin në shtyllë dhe përfundoi 4-0. Një poshtërim për Girona, që zbriti në -5 pas Real Madrid. Blancos kryesojnë me 61 pikë dhe dhanë një shfaqje absolute fuqie.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *