• |
ide | kryesore

“Penalltitë nuk ishin shumë të qarta”: Di Biaggio e ka të vështirë ta pranojë humbjen, Shehi e komplimenton

-Instant, Sport
Di Biaggio



“Më vjen keq, sepse bëmë një ndeshje të mirë. Djemtë luajtën mirë. Kemi gjëra për të përmirësuar. Por mos të harrojmë se është ndeshja e parë. Luajtëm ndaj një skuadre që u rendit me pikë të barabarta me kampionin. Pavarësisht rezultatin, nuk mund të mos jem i kënaqur me këtë ndeshje”. Luigi Di Biaggio mundohet ta shogë gotën gjysëm plot. Tekniku italian i Dinamos e humbi ndeshjen debutuese vetëm në minutën e 90, pas penalltisë së dytë të fishkëllyer kundër. “Mentaliteti duhet të jetë ky. Mos të harrojmë që luajtëm ndaj një skuadre mjaft të mirë si Tirana, ndërsa ne vijmë nga Kategoria e Parë, pavarësisht emrit që kemi. Penalltitë nuk ishin shumë të qarta, por më duhet t’i shikoj më mirë”.

Italiani pastaj shtoi duke analizuar e vlerësuar përfaqësimin e lojtarëve të tij: “Lojtarët kanë kërkuar ta fitojnë ndeshjen, luftuam, guxuam dhe kërkuam të shkonim përpara. Jam i kënaur me zëvendësimet që bëra. Provova ta fitoja ndeshjen, duke aktivizuar Tushën, por më pas u dha penallti dhe ndryshoi gjithçka. Klubi po më vë në dispozicion lojtarë mjaft të mirë. Jam i kënaqur me këta lojtarë”.

SHEHI: KEMI ENDE SHUMË PROBLEME

“Është e rëndësishme ta fillosh kampionatin me fitore në derbi. Kundërshtari ishte me shumë dëshirë. Na vjen mirë që e fillojmë me fitore, por problematika ka plot. Gjatë lojës kemi ndryshuar 2-3 herë manovrën. Kërkuam të jemi me 4, problemi më i madh është kur humbim topin, pasi humbim dhe ekulibrat”. Orges Shehi analizon me kënaqësinë e fitores, por me shqetësimin e defekteve, 2-3 me të cilën Tirana e tij mori suksesin e parë në derbin me Dinamon. “Duhet të shkonim më shpejt në presion. Kaçorri është një pykë e fortë. Zgjatja e skuadrës ishte problemi më i madh. E vuajtëm këtë fakt. Najdovski është me 5 ditë stërvitje, Lulajn nuk e kishim, ndaj vuajtëm pak. Gjithsesi në javët e para, forma e skuadrave nuk është optimale”.

Lexo më tej: Video/ Pesë gola e tre penallti, Tirana thyen Dinamon në derbi: humbja e parë për Di Biaggio

Një kompliment edhe për Luigi Di Biaggio në pankinën e parë në Superiore: “Kur e takova në fillim e urova për ardhjen e tij në Shqipëri. Unë personalisht mendoj që emra si Di Biaggio e rrisin vlerën e kampionatit. I thashë urime pas kësaj ndeshje”, përfundoi Shehi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *