• |
ide | kryesore

Video/ Pesë gola e tre penallti, Tirana thyen Dinamon në derbi: humbja e parë për Di Biaggio

-Instant, F1, Sport, Video



Prapashtesa City në emrin e Dinamos nuk mjafton për të frikësuar Tiranën. Bardheblutë imponohen 2-3 me përmbysje në Elbasan Arenën në një ndeshje të vendosur nga tre penallti. Hasani në minutën e 90′ i shkaktoi teknikut Di Biaggio humbjen në debutim. Tirana e Shehit jep, ndërkohë, sinjalin e parë për kampionatin.

Me uniformën e paprecedentë dinamovite, të besuarit e teknikut Di Biaggio me bojëqiellin e City Group, patën impaktin më të mirë me ndeshjen. Tirana, ajo që u pa edhe kundër Besiktas, zbriti në fushë me qetësinë e zakonshme. E të besuarit e Orges Shehit nuk e humbën as kur pësuan disavantazhin e Kaçorrit. Sulmuesi shënoi në minutën e 24′, duke entuziazmuar teknikun italian në pankinë. Bardheblutë sidoqoftë nuk u shpërbënë dhe u përgjigjen me Hilën, që barazoi shifrat pas 5 minutash.

TRE PENALLTITË QË VENDOSËN DERBIN

Në pjesën e dytë, të dy skuadrat menduan se mund ta fitonin ndeshjen, pas matjes së forcave në 45 të parat. Vetëm se protagonist këtë herë u bë VAR, që akordoi dy penallti në krahe të kundërta. Prekja me dorë e Hoxhallarit në devijimin me kokë të Kaçorrit në minutën e 59′, i dha mundësinë Denison të kalonte për së dyti përpara Dinamon. Por situata u përsërit në zonën e kundërt dhe këtë herë Xhaja tregoi pikën e bardhë për Tiranën. Latifi nuk gaboi, edhe pse Rexhepi e gjeti krahun e goditjes.

Në fund, me dy skuadrat të shtrira e me lodhjen që kishte bërë të veten, sinjalizohet edhe penalltia e tretë. Tirana këtë hera ia besoi Hasanit 11 metërshin në minutën e 90 dhe Këpuca e artë e sezonit të kaluar nuk gaboi, duke siguruar fitoren 3-2 të skuadrës së tij.

Tirana e nis me fitore kampionatin dhe bën të sajën derbin e parë të kryeqytetit. Dinamo, nga ana tjetër, duhet të presë për të treguar madhështinë e projektit që pretendon. E para nuk ishte e keqe, por humbja nuk bën asnjëherë punë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *