• |
ide | kryesore

Pezullim e jo shkarkim: Tirana bën njoftimin, por skuadra i kalon teknikut Ahmataj

-Instant, F1, Sport
Ahmataj



Një situatë kaotike që nuk është se bëhet më e qartë pas vendimit zyrtar të klubit. Tirana, pas orëve të tëra refleksioni, ka komunikuar vendimin për teknikun Orges Shehi. 46 vjecarit iu njoftua shkarkimi paraditen e sotme, por tani klubi ka bërë një prapaktheu të vogël, që më shumë duket si lëvizje strategjike, sepse në krye të skuadrës do të jetë Julian Ahmataj.

“Klubi i Futbollit Tirana ka vendosur të pezullojë nga detyra trajnerin Orges Shehi” shkruhet në komunikatë. Një frazë që kuptohet qartë se tekniku është ende peng i kontratës me bardheblutë. E përforcuar kjo edhe me fjalinë pasuese “Klubi njofton se do të vazhdojë marrëdhënien kontraktuale me trajnerin Shehi deri në përfundimin e saj”. E thënë më ndryshe tekniku do të paguhet deri në fund të majit, në pritje të një vendimi të dytë. Nuk është se Tirana ka para të tepërta të shpenzuara, duke patur parasysh vonesat e pagesave për lojtarët e stafin teknik, por është qartazi një lëvizje bllokuese, për të mos e lënë Shehin të kalojë tek Egnatia apo Partizani, dy të interesuarit për të.

Një pezullim i versionit Spalletti te Napoli, fundi i të cilit duket i pashmangshëm. Kjo edhe sepse për momentin, skuadra do t’i kalojë teknikut të U19 Julian Ahmataj. Zyrtarisht ai do të qendrojë në krye të bardhebluve vetëm për një ndeshje, por pas pauzës së kampionatit gjithcka mund të ndodhë.

-KOMUNIKATË E KLUBIT-

Pas shqyrtimit të rrethanave, lidhur me situatën sportive dhe rezultateve te dobëta në të cilën ndodhet klubi aktualisht, bazuar në Kontratën individuale të punës, Klubi i Futbollit Tirana ka vendosur të pezullojë nga detyra trajnerin Orges Shehi.
Gjithashtu, klubi njofton se do të vazhdojë marrëdhënien kontraktuale me trajnerin Shehi deri në përfundimin e saj.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *