• |
ide | kryesore

Ankthi nga virusi dhe ankthi nga shteti

Blog

Nga Boiken Abazi/ 

Ankthi nga virusi, që ka ende të panjohura, është reagim gati normal në këtë kohë. Ky ankth mbase nuk ka nevojë të shpjegohet, pasi po përjetohet prej shumë qytetarëve, për shkak të paparashikueshmërisë së pandemisë. Në këtë situatë kemi parë rikthimin e shtetit të fortë për t’u përballur me pandeminë, duke hedhur në koshin e plehrave teoritë barbare të zhvillimit të pafre të “tregut të lirë”, që në fakt kishte krijuar shoqëri distopike përmes përparimit të sistemit neoliberal. Ky i fundit i është kundërvënë shtetit nëpër botë prej viteve 1980, por sot është diskredituar më shumë se kurrë, pas gati 4 dekadash gjatë të cilave shkaktoi pabarazi ekstreme, e në shumë vende, përmes tërheqjes së shtetit, edhe rrënimin e sistemit shëndetësor dhe arsimor. Virusi na ka bërë të kuptojmë sa e paqëndrueshme dhe e dëmshme ka qenë ta lëmë fatin tonë në duart e “tregut të lirë”, që kishte fituar terren mbi shtetin duke rrënuar shërbimet publike.

Në këtë kohë të gjithë po kërkojnë mbrojtje prej shtetit, ndërhyrje prej shtetit në ekonomi, duke e orientuar atë sipas nevojave të shoqërisë. Kjo shkakton ankthin e dytë. Përtej të panjohurës së virusit, shfaqet e panjohura e rikthimit të shtetit të fortë, si nevojë për siguri por me pasoja të paparashikueshme për demokracinë, zhvillimin e ekonomisë dhe luftën kundër pabarazisë.

Paradigma po zhvendoset para syve tanë. Ajo nuk po zhvillohet më në përplasjen mes “tregut të lirë” dhe shtetit të fortë, por në modelin e llojit të shtetit të fortë, apo modelit qeverisës, që nevojitet në një demokraci me shtet të fortë. Aty ku para pandemisë qytetarët kanë zgjedhur në mënyrë demokratike një qeveri të përgjegjshme ndaj nevojave të tyre, ankthi ndaj rikthimit të shtetit të fortë është shumë më i ulët, dhe madje kjo situatë e ka rritur besimin te qeveria. Por aty ku para pandemisë qeverisjet kanë patur legjitimitet të diskutueshëm, me prirje autoritare e korrupsion të nivelit të lartë dhe me kapje të shtetit prej oligarkisë, aty ankthi ndaj rikthimit të shtetit të fortë është shumë më i madh.

Na duhet, sigurisht, të përqëndrohemi te përpjekjet kundër virusit duke respektuar masat parandaluese, të cilat na kufizojnë liritë. Por na duhet gjithashtu një reflektim, mekanizma e modele, që rikthimin e shtetit të fortë e vendosin në dobi të shoqërisë, pa shkatërruar në afatgjatë demokracinë, dhe duke riorientuar ekonominë drejt prodhimit vendas dhe uljes së pabarazisë. Nuk ka formula të gatshme në këtë drejtim për ta zgjidhur këtë çështje menjëherë në mes të pandemisë. Por është e rëndësishme një herë të kuptojmë ku jemi. Më tej, zgjidhjet duhet t’i ideojmë e t’i sjellim në jetë së bashku.

1 Comment

  1. O te qifsha trurin prej kashte. Po ky virus erdhi nga Kina mor robqire ku shteti di dhe vezet e pules dhe u perhap pikerisht se Kina eshte vend komunist dhe shteti i di dhe i fsheh te gjitha. C’faj ka neoliberizmi ne kete mes, c’faj ka privati? “Faji” i vetem i privatit eshte qe me vaksine e ilace do e shpetoje boten nga plehrat qe na hodhi persiper nje shtet komunist e diktatorial si ai qe do ti. Jane ne metro keto mo? Ti i vetefundosjes u dashke marre me shkelma edhe perpara Rames.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu